Historia

This section is empty.


 

FTERRA NË VITE - 570 VJETORI I SAJ

(Mbajtur në takimin e fteriotëve më 5 shtator 1999 në Fterrë)

 

 

Të dashur bashkëfshatarë,

Të dashur prindër e bashkëmoshatarë, vëllezër e motra, bij e bija, nipër e stërnipër!

Të nderuar miq e dashamirës, të pranishëm në këtë takim të fteriotëve.

 

            Komisioni nismëtar i Tiranës më ngarkoi të flas për historinë e Fterrës sonë dhe nga dëshira për të gjetur “sebepin” e kësaj ardhje në fshat, të nisur nga dokumenti i vitit 1431, sugjeruan që të festojmë “570 vjetorin” e themelimit të fshatit. Për t’u plotësuar dëshirën unë pranova, por me kusht që t’i shtojmë këtij përvjetori edhe shumë vite, bile edhe shekuj që paraprijnë historinë e lashtë të fshatit - Fterra në vite.

            Thom Fterra në vite, se është e vështirë të gjesh kohën e saktë se kur është banuar për herë të parë fshati ynë. Jo vetëm se mungojnë të dhënat historike, por edhe për faktin se banimi i tij nuk është bërë në një ditë apo vit të caktuar. Në fillim lugina e Fterrës me kodrat e faqet e maleve që e rrethojnë kanë qënë shfrytëzuar si kullotë e zonë e pasur në gjueti. Këta vizitorë të parë që vinin herë pas here, kishin populluar bregdetin e detit Jon shumë herët. Ata vinin nga kalaja e Badhrës (midis Borshit e Piqerasit), nga kalaja e Sopotiti, nga kalaja e Qeparoit, kala që, siç dëshmojnë të dhëna të sigurta arkeologjike, kanë qënë banuar qysh në kohën e bronzit (rreth 4000 vjet më parë). Ato janë dhe burime nga më të vjetrat për tërë Shqipërinë.

            Për lashtësinë e fshatit na vijnë në ndihmë të dhënat gjuhësore, emrat e vendeve, (emrat e burimeve e të krojeve, emrat e qafave, të arave, të brigjeve, të majave, të shpellave, të lumenjve e përrenjve), të cilat janë përmbledhur në mënyrë të plotë në Hartën e Fterrës të botuar në nr.14 të gazetës “Fterra jonë”.

            Shumica e këtyre emërtimeve janë emra të mirëfilltë shqip. Fjala vjen, Qafa e Qishës, lidhet me ekzistencën e një lagje në Qafë të Qishës. Ajo ka mure shtëpish që i takojnë shekullit IX-X të erës sonë. Një grup tjetër emërime vendesh si Ixuar-Ixor (burim), Bërda - kodër e vogël, varrë - tog me gurë të vegjël etj., lidhen me ardhjen e një popullsie me orgjinë sllave, ose për të qënë më të saktë, me përfshirjen e fshatit tonë nën pushtimin administrativ të shtetit Bullgar. Të tjera emra vendesh shpjegohen me ndikimin e gjuhës turke e greke, si derven, foti, hon, perivol e shumë të tjera.

            Edhe toponimet ( emrat e vendeve) Galile, Kikë, apo emrat e njerëzve Avrec-Jevrej, Rahile etj., janë me prejardhje çifute dhe pa mëdyshje duhet të lidhen me vendosjen e ndonjë familje çifute, ndoshta në shekukullin e 17-të.

            Dokumenti i parë i shkruar për ekzistencën e fshatit tonë është defteri osman i vitit 1431, i cili na bën të njohur se Efteran-Ifteran-Fterra, bënte pjesë në nahijen e Sopotit, kazaja e Gjirokastrës dhe kishte në atë kohë 12 hanë, familje me kryefamiljarë, si dhe familje të tjera që paguanin taksa të vogla. Në defterin e vitit 1431-1432 përmendet edhe Borshi e Çorraj, si dhe emra fshatrash që më vonë u zhdukën, si Kokni, Bagadhule, Vakaj, Koma etj.

            Në një dokument që i takon vitit 1583, dmth pas 150 vjetësh, del përsëri emri i fshatit Ifteran me 24 zjarre (shtëpi) dhe më pas, sipas një burimi tjetër, me 45 zjarre (shtëpi). Në shekujt që vijojnë (shek.16 deri në shek.19) nuk kemi dokumenta të shkruara, por historinë e fshatit tonë do ta gjejmë në ngjarje historike të labërisë e në ngjarjet e mëdha të Shqipërisë. Fterra jonë, ndonse e futur thellë në grykat e Kurveleshit të Poshtëm, mori pjesë aktive në luftrat për liri e pavarësi.

            Fshati ynë merr pjesë me armë në dorë në kryengritjen e vitit 1833-34 kundër zbatimit të reformave të Tanzimatit. Në ballë të kryengritjeve labe ishte Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, kurse Lazo Kofina ( i parë) ishte komandant i çetës së Fterrës dhe këshilltar i Zenel Gjolekës. Siç dihet turqit e shtypën kryengritjen sa me forcë aq edhe me tradhëti, dhe Lazo Kofina e Hasan Luçi u zunë rob dhe u internuan në Turqi. Ata nuk pranuan ofiqe e sqima të qeverisë turke dhe mbajtën lart emrin e nderuar të patriotit.

            Gjurmë të pashlyera në historinë e fshatit tonë kanë lënë ngjarjet e viteve 1913-1916. Pa u konsoliduar shteti i porsa formuar më 28 nëntor 1912 në Vlorë, filloi Lufta Ballkanike, e cila preku drejtpërdrejt edhe Fterrën tonë.

            Në maj 1913 ushtarë grekë erdhën në Fterrë. Kjo i detyroi fteriotët të mërgonin ku të mundnin, shumica shkuan në Lumin e Vlorës dhe dimri i vitit 1913-1914 ka qënë një nga periudhat më të vështira. Në pranverën e 1914-ës burrat e fshatit u ngritën me armë në dorë, u organizuan në çeta dhe sa bashku me çetat e tjera arritën të përzënë ushtarët grekë nga vatani. Fteriotët u rikthyen në fshatin e tyre me shtëpi të djegura e ara të shkretuara. Me punë e djersë, në vjeshtë të vitit 1916, fshati u përtërit dhe u arrit të hapët shkolla fillore në gjuhën shqipe, me

Pas katër vjetësh zhvillohet Lufta e Vlorës. Çeta vullnetare e fshatit, me rreth 40 luftëtarë, nën komandën e Xhafer Shehut, u nis për në Drashovicë dhe u rreshtua në luftë kundër forcave italiane dhe, së bashku me gjithë luftëtarët e tjerë të Labërisë, arritën të çlirojnë Vlorën.

            Ngjarje të mëdha të historisë së popullit tonë ndjektin njëra-tjetrën. Më 1924, për një kohë të shkurtër, vjen në fuqi qeveria demokratike me Fan Nolin në krye. Dhe përsëri fteriotët mbështesin Qeverinë e Nolit. Demokratë si Tasin Elezi, Ismail Bezhani me shokë, për përkrahjen që i dhanë qeverisë së re, intrenohen në Krujë(T.Elezi) dhe Gjirokastër (I.Bezhani).

            Gjatë viteve 1925-1939 me vendosjen e Republikës e më pas të Mbretërisë, në jetën e fshatit u bënë më përcaktuese kushtet gjeografike. Dominoi ekonomia e përzier, që karakterizonte çdo familje - blegtori, bujqësi, frutikulturë, më saktë pak nga të gjitha, po asnjë familje nuk arrinte të siguronte bukën e vitit. Jeta në familje e mbështetur në këtë bazë ekonomike kthehej ( sigurohej jetesa për 12 muajt e vitit) me përpjekje e mundim të madh. Pati familje që zgjeruan tokën bujqësore duke mbjellë në Fushë të Zhulit, në Galisht , Rrëmullë e Fonicë, por rendimenti ishte shumë i ulët. Hera herës nuk arrinin të merrnin as farën. Kishte dhe pak familje që u shquan si blegtorë (Zhupajt, Gjonajt, Dhulajt), duke krijuar kope të mëdha me dhën, por dhe për ato tregtimi i prodhimeve blegtorale ishte i vështirë e të ardhurat të kufizuara. Kështu kriza e viteve 1933-36, që preku tërë vendin, u ndie rëndë edhe në fshatin tonë. Për të zbutur këtë gjendje të vështirë shumë burra të fshatit mërguan në qytet, duke bërë punë krahu, e për të gjetur nëpunësi të ulta, si xhandar e disa edhe hoxhë.

            Po për vitet ‘30-të, vlen të veçojmë faktin që një pjesë e rinisë së fshatit me sakrifica të mëdha ndoqën studimet e mesme në Normalen e Elbasanit, në Gjimnazin e Gjirokastrës e të Tiranës, etj. Kështu u formua brezi i parë i intelektualëve me arsim, brez i cili nisi traditën e shkollimit e arsimimit të fteriotëve. Normalistët e shquar si Hiqmet Dusha e Turhan Mato (dëshmor) dhe mësuesit Xhevdet Kofina, Lame Xhama, Shefki Mita, Safet Kofina, Hiqmet Shehu e Tare Braho, i dhanë një emër të mirë fshatit kudo që punuan dhe Fterra u quajt fshati i mësuesve.

            Në fillim të luftës Italo-Greke, Fterra, si grykë e Kurveleshit, u bë front lufte. Ushtria greke e vendosur në fshatin tonë bombardohej nga artileria e aviacioni italian. Në fillim ushtria greke e më pas ushtria italiane dëmtuan rëndë ekonominë e fshatit. Pasojat e Luftës së Dytë Botërore u ndien që në fillimet e saj. Gradualisht filloi dhe rezistenca ndaj pushtuesve italianë e më pas, më e fuqishme, më e organizuar edhe ndaj pushtuesve gjermanë. Një moment me rëndësi shënon mbledhja e gjithë popullit të fshatit në korrik të vitit 1942, tek Kroi i Bedrinit, ku u hodhën bazat e bashkimit politik në luftë kundër armikut. U formua çeta vullnetare me në krye Hiqmet Dushën dhe një këshill prej 5 vetash më kryetar Himet Çallon. Në gusht çeta mori pjesë në çlirimin e Kuçit dhe të Kurveleshit që nga kjo kohë mbeti zonë e lirë. Më 27 janar 1943 çeta e fshatit ju bashkua çetës “Hajredin Tremishti” në sulmin që iu bë fashistëve italianë në postbllokun e Borshit. Në këtë përpjekje ra dëshmor Fuat Mato, dëshmor i parë i rinisë së Kurveleshit.

            Me pasoja të rënda ishte për fshatin tonë edhe operacioni i dimrit i vitit 1943-44 dhe ai i qershorit 1944. Pa u ndalur në hollësitë e ngjarjet e veprimeve luftarake që u zhvilluan në fshatin tonë e më gjerë, meriton të cilësohet se gjatë Luftës herioike Nacionalçlirimtare gjithë fshati, mbështeti fuqimisht luftën dhe u rreshtua i tërë në anën e fitimtarëve. Atë e dëshmojnë veprimtaria aktive e

çetave territoriale, ku rol të veçantë luajti rinia komuniste e fshatit dhe pjesëmarrja e 38 partizanëve në luftën për çlirimin e vendit. Në këtë luftë heroike dhanë jetën dëshmorët Hiqmet Dusha, Turhan e Fuat Mato, Azem Çeli, Osman Memi e Shaqo Mita.

            Në këto pak faqe është e pamundur të flitet për të gjithë ngjarjet. Por dëshiroj të përmend edhe disa data që meritojnë të trajtohen më vete e natyrisht më gjerë.

- Në shkurt 1943 Fterra dërgon përfaqësues në mbledhjen që u bë në Kuç e në Progonat, për pajtimin e gjaqeve. Vendimet e marra bënë që gjatë kohës së luftës të mos kishte asnjë krim për hakmarrje.

- Menjëherë pas çlirimit, më 1946, u ngrit komisioni për rindërtimin e fshatit. E para u rindërtua shkolla e pastaj të gjitha shtëpitë e djegura.

- Më 25 nëntor 1955 u inagurua hidrocentrali i fshatit, një arritje e shënuar për kohën

- Më 10 mars 1956 u krijua kooperativa bujqësore.

- Më 16 tetor 1961 u krijua kooperativa e bashkuar Borsh-Fterrë-Çorraj (siç thashë ngjarje që kërkojnë trajtim të veçantë)

            Me aspektin etnografik fshati ynë bën pjesë në krahinën e Kurveleshit, dhe bashkë me Çorrajn, Kuçin, Kallaratin e Bolenën formojnë Kurveleshin e Poshtëm. Mendoj se është një rast shumë i veçantë formimi i krahinës etnografike të Kurveleshit, e cila me kushtet gjeografike të saj, me një masiv malor ku rreth tij janë vendosur fshatra të cilat janë tërësisht të hapura ndaj krahinave të tjera, formon një krahinë më vete. Kjo specifikë gjeografike dhe etnografike ka bërë që organizimi administrativ i fshatit tonë (por dhe i fshatrave të tjera) të ndryshojë disa herë. Në vitet ’30 qendra e prefekturës ishte Gjirokastra dhe nënprefektura në Gusmar. Kjo strukturë organizative u trashëgua edhe në vitet e para pas çlirimit. Më 1949, me krijimin e qarkut të Vlorës, Fterra dhe fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm kaluan në vartësi të Vlorës. Në fillim të vitit 1960, përsëri ndryshon struktura administrative, Fterra dhe Çorraj kaluan në administrim të rrethit të Sarandës.

            Po një gjë mbetet e pandryshuar, cilësimi sipas krahinës etnografike. Fteriotin kur e pyesin të përgjigjet: jam nga Fterra, jam nga Kurveleshi, jam nga Labëria.

            Vitet ‘90-të hapën një faqe të re në historinë e fshatit tonë. Ndryshimet ekonomike e shoqërore u përqafuan e u mbështetën qysh në fillim. Pluralizmi politik u shpreh në grupimin e njerëzve në tre parti politike. Dhe në këtë kthesë të madhe fteriotët u shquan për arsye, për mençuri e pajtim.

 

            Vitet ‘90-të janë gjithashtu vitet e ndryshimeve të mëdha demografike, që erdhën si rezultat i kufizimeve të skajshme, që ishin bërë gjatë 50 vjetëve të monizmit, por edhe si rrjedhojë e mundësive të reja që krijoi lëvizja e lirë e njerëzve, si dhe mundësive të kufizuara ekonomike që ka fshati ynë. Si pasojë një numer jo i vogël të rinjsh, jo vetëm nga ata që banojnë në Fterrë, por edhe nga ata që banojnë në Sarandë, Vlorë, Tiranë etj., morën rrugën e kurbetit. Sot shumë punojnë e jetojnë në Greqi e Itali, kurse të tjerë në Gjermani, Austri, Amerikë e Kanada.

            Kanë ikur djemtë e vajzat, kanë shkuar larg e nëpër botë, se Fterra, ashtu si gjithë vendi, është e varfër e nuk i mban dot. Ata kanë shkuar atje ku është puna, ku është jeta, por mendjen e zemrën e kanë këtu, në Fterrë. Ata e kanë për nder që kanë lindur në Fterrë e prindërit e tyre janë me origjinë nga Fterra.

            Dhe ne kemi ardhur sot këtu, në këtë fillim vjeshte të vitit 1999, me plot prodhime e begati që ka shtatori në Fterrë, për të festuar e gëzuar të gjithë bashkë, fteriotë të katër brezave, që përfaqësojnë rreth 430 familje me mbi 2000 frymë. (Fterra me 71 shtëpi, Saranda me 82, Tirana me 167, Vlora 48 etj.)

            Kemi ardhur në fshatin tonë të dashur, të vogël por të bukur, të ngritur pranë burimeve plot ujë të Ixorit e Ngurrëzës, me bimësi e gjelbërim të përhershëm, me klimë bregdetare të rivierës, por dhe me ashpërsinë që krijojnë malet e larta për rreth (që të rrinë mbi kokë). Jemi në Fterrën tonë që lindi e rriti bij e bija që i kanë dhënë emër të mirë dhe e kanë bërë atë të njohur, ndaj këtë emër të nderuar, të mbrujtur e formuar në traditën e qindra viteve, ta mbajmë e ta lartësojmë edhe në vitet më të lumtura që do të vijnë.

 

Prof.Dr. Muzafer KORKUTI

 

Botuar në gazetën "Fterra jonë"

Nr. – 16, tetor, 1999

 


Contact

Agron Xhama

Rr. Tish Daija
(Komuna e Parisit)
Ndertesa 1 hyrja 13 ap. 2 Kodi postar 1022
Tirana, ALBANIA


Tel: +355 4 2441014
Cel: 0692154981